﻿2 i Samuelit.
22.
Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha: 
“Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im, 
Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna! 
Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi. 
Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar. 
Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve. 
Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij. 
Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim. 
Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij. 
Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij. 
Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës. 
Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit. 
Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij. 
Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij. 
Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau. 
Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij. 
Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha. 
Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë 
Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im, 
ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej. 
Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia, 
sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im. 
Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij. 
Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë. 
Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij. 
Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë; 
ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur. 
Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t’i ulur. 
Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim. 
Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur. 
Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai. 
Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë? 
Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time. 
Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta. 
Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi. 
Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh. 
Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast. 
Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t’i shfarosja. 
I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia. 
Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje; 
bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin. 
Ata shikuan, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre. 
Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve. 
Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer. 
Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden. 
Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre. 
Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim! 
Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt, 
dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm. 
Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd. 
Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë”. 
