﻿Nehemia.
10.
Ata që vunë vulën e tyre mbi dokumentin ishin: Nehemia, qeveritari, bir i Hakaliahut, dhe Sedekia, 
Serajahu, Azaria, Jeremia, 
Pashuhuri, Amariahu, Malkija, 
Hatushi, Shebaniahu, Maluku, 
Harimi, Meremothi, Obadiahu, 
Danieli, Ginethoni, Baruku, 
Meshulami, Abijahu, Mijamini, 
Maaziahu, Bilgai, Shemajahu. Këta ishin priftërinj. 
Levitët: Jeshua, bir i Azaniahut, Binui nga bijtë e Henadadit dhe Kadmieli, 
dhe vëllezërit e tyre Shebaniahu, Hodijahu, Kelita, Pelajahu, Hanani, 
Mika, Rehobi, Hashabiahu, 
Zakuri, Sherebiahu, Shebaniahu, 
Hodijahu, Bani dhe Beninu. 
Krerët e popullit: Paroshi, Pahath-Moabi, Elami, Zatu, Bani, 
Buni, Azgabi, Bebai, 
Adonijahu, Bigvai, Adini, 
Ateri, Ezekia, Azuri, 
Hodijahu, Hashumi, Betsai, 
Harifi, Anatothi, Nebai, 
Magpiashi, Meshulami, Heziri, 
Meshezabeeli, Tsadoku, Jadua, 
Pelatiahu, Hanani, Anajahu, 
Hoshea, Hananiahu, Hasshubi 
Halloheshi, Pilha, Shobeku, 
Rehumi, Hashabnahu, Maasejahu, 
Ahijahu, Hanani, Anani 
Maluku, Harimi dhe Baanahu. 
Pjesa tjetër e popullit, priftërinjtë, Levitët, derëtarët, këngëtarët, Nethinejtë dhe tërë ata që ishin ndarë nga popujt e vendeve të huaja për të ndjekur ligjin e Perëndisë, bashkëshortet e tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre, domethënë tërë ata që kishin njohuri dhe zgjuarësi, 
u bashkuan me vëllezërit e tyre, me më të shquarit, dhe u zotuan me mallkim dhe betim se do të ecnin në rrugën e caktuar nga ligji i Perëndisë, që ishte dhënë me anë të Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe të respektonin e të zbatonin në praktikë të gjitha urdhërimet e Zotit, Zotit tonë, dekretet e tij dhe statutet e tij, 
të mos u japim bijat tona popujve të vendit dhe të mos marrim bijat e tyre për bijtë tanë, 
të mos blejmë asgjë ditën e shtunë ose në një ditë tjetër të shenjtë nga popujt që çojnë për të shitur ditën e shtunë çfarëdo lloj mallrash dhe drithërash, ta lëmë tokën të pushojë çdo vit të shtatë dhe të mos vjelim asnjë borxh. 
U zotuam prerazi të paguajmë çdo vit një të tretën e një sikli për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tonë, 
për bukët e paraqitjes, për blatimin e përjetshëm të ushqimit, për olokaustin e përjetshëm të të shtunave, të ditëve të hënës së re, të festave të caktuara, për gjërat e shenjtëruara, për ofertat e bëra për mëkatin, për shlyerjen e fajit të Izraelit, dhe për çdo punë të kryer në shtëpinë e Perëndisë tonë. 
Përveç kësaj hodhëm short midis priftërinjve, Levitëve dhe popullit për ofertën e druve që duhet të çohen në shtëpinë e Perëndisë tonë, çdo vit në afate të caktuara, sipas shtëpive tona atërore, me qëllim që të digjen në altarin e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç është shkruar në ligj. 
U zotuam gjithashtu të çojmë çdo vit në shtëpinë e Zotit prodhimet e para të tokës sonë dhe frytat e para të çdo peme, 
dhe të parëlindurit e bijve tanë dhe të bagëtisë sonë, ashtu siç është shkruar në ligj, dhe me të pjelljen e parë të bagëtive tona të trasha dhe të imta për t’ua paraqitur në shtëpinë e Perëndisë tonë priftërinjve që kryejnë shërbim në shtëpinë e Perëndisë tonë. 
Përveç kësaj u zotuam t’u çojmë priftërinjve në dhomat e shtëpisë së Perëndisë tonë prodhimet e para të brumit tonë, ofertat tona, frutat e çdo peme, mushtin dhe vajin, dhe Levitëve të dhjetën e tokës sonë; vetë Levitët do të marrin të dhjetën pjesë në të gjitha qytetet ku ne punojmë. 
Një prift, pasardhës i Aaronit, do të jetë me Levitët kur ata do të marrin të dhjetat; dhe Levitët do ta çojnë të dhjetën e së dhjetës në shtëpinë e Perëndisë tonë, në dhomat e thesarit, 
sepse në këto dhoma bijtë e Izraelit dhe bijtë e Levit do të sjellin ofertat e grurit, të mushtit dhe të vajit; këtu janë veglat e shenjtërores, priftërinjtë që kryejnë shërbimin, derëtarët dhe këngëtarët. Ne nuk do ta braktisim shtëpinë e Perëndisë tonë. 
