﻿Jobi.
8.
Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha: 
“Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme? 
A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë? 
Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre. 
Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit, 
në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate. 
Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël, 
e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre; 
ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije. 
A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre? 
A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë? 
Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër. 
Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet. 
Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange. 
Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban. 
Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij; 
dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë. 
Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: “Nuk të kam parë kurrë!”. 
Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri. 
Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit. 
Ai do t’i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua. 
Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket”. 
