﻿Jobi.
26.
Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: “Si e ke ndihmuar të dobëtin, 
ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë? 
Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar? 
Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje? 
Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre. 
Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel. 
Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin. 
I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre. 
E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij. 
Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin. 
Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij. 
Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin. 
Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak. 
Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij? 
