﻿Psalmet.
34.
Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. 
Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. 
Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij. 
Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. 
Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan. 
Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij. 
Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron. 
Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai. 
Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij. 
Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë. 
Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit. 
Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën? 
Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra. 
Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje. 
Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. 
Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut. 
Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. 
Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar. 
Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha. 
Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet. 
Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen. 
Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet. 
