﻿Psalmet.
77.
Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar. 
Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet. 
Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela) 
Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas. 
Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara. 
Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime. 
A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë? 
Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme? 
Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela) 
Unë kam thënë: “Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar”. 
Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, 
do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua. 
O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia? 
Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve. 
Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela) 
Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan. 
Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. 
Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh. 
Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. 
Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit. 
