﻿Psalmet.
147.
Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh. 
Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit. 
Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre. 
Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre. 
I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij. 
Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij. 
Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë, 
që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet. 
Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin. 
Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. 
Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij. 
Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion. 
Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje. 
Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë. 
Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun. 
Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi. 
Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij? 
Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin. 
Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij. 
Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja. 
