﻿Fjalët e urta.
27.
Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë. 
Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua. 
Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë. 
Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t’i bëjë ballë xhelozisë? 
Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur. 
Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku. 
Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël. 
Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij. 
Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta. 
Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg. 
Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje. 
Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen. 
Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj. 
Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t’ia zënë si mallkim. 
Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës. 
Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë. 
Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij. 
Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet. 
Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun. 
Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve. 
Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr. 
Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij. 
Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua, 
sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi. 
Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve, 
qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are 
dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua. 
