﻿Fjalët e urta.
29.
Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër. 
Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon. 
Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet. 
Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim. 
Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij. 
Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet. 
I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim. 
Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin. 
Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe. 
Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij. 
Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul. 
Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë. 
I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve. 
Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë. 
Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet. 
Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre. 
Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t’i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd. 
Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin. 
Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet. 
A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai. 
Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij. 
Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate. 
Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi. 
Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë. 
Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar. 
Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti. 
Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët. 
