﻿Mateu.
1.
Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit. 
Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 
Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami; 
Aramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni. 
Salmonit i lindi Boozi nga Rahabi; Boozit i lindi Obedi nga Ruthi; Obedit i lindi Jeseu. 
Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias. 
Salomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abia; Abias i lindi Asai. 
Asait i lindi Jozafati; Jozafatit i lindi Jorami; Joramit i lindi Ozia. 
Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Akazi; Akazit i lindi Ezekia. 
Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni; Amonit i lindi Josia. 
Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e internimit në Babiloni. 
Pas internimit në Babiloni Jekonias i lindi Salatieli; Salatielit i lindi Zorobabeli. 
Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi; Eliakimit i lindi Azori. 
Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi; Akimit i lindi Eliudi. 
Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matthani, Matthanit i lindi Jakobi. 
Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht. 
Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza; dhe, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe, nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza. 
Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë. 
Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas. 
Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. 
Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”. 
E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: 
“Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: “Zoti me ne””. 
Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij; 
por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus. 
