﻿Marku.
7.
Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi. 
Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën. 
Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve; 
dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve. 
Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?”. 
Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: “Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje. 
Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit”. 
Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme”. 
U tha atyre akoma: “Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj. 
E në fakt Moisiu tha: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, dhe: “Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje”. 
Por ju thoni: “Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë”, 
nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet, 
duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme”. 
Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni: 
Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin. 
Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë! 
Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës. 
Dhe ai u tha atyre: “Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë, 
sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?”. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet. 
Tha akoma: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur. 
Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, 
vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. 
Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut”. 
Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur. 
Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. 
Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija; 
por Jezusi i tha: “Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve të qenve”. 
Por ajo u përgjigj dhe i tha: “Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!” 
Atëherë ai i tha: “Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!”. 
Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë. 
Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit. 
Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t’i vërë duart mbi të. 
Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën. 
Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha”, që do të thotë: “Hapu!”. 
Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm. 
Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin. 
Dhe, të habitur shumë, thonin: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!”. 
